Lajme dhe Ngjarje

Takim i Kryetarës së FSSHK-së Znj.Tevide Imeri me Avokatin e Popullit Z.Naim Qelaj

Posted by:

Me datë 30 korrik 2026, Kryetarja e FSSHK-së Znj.Tevide Imeri dhe zyrtaret ligjore të FSSHK-së Nora Murataj dhe Yllka Krasniqi kanë zhvilluar takim me Avokatin e Popullit Z.Naim Qelaj, Drejtoreshën e Departamentit për Pranimin dhe Shqyrtimin e Ankesave znj.Arbane Shala Rama. Në këtë takim është diskutuar për çështjen e shtesave të ndarë nga Ministria e Shëndetësisë në vlerë prej 150 euro për mjekët që punojnë në sektori publik.

Kryetarja e FSSHK-së Znj.Imeri paraqiti shqetësimin e saj për situatën e përgjithshmë në shëndetësi e me theks të veçantë kërkesat e adresuara nga anëtarësia sindikale infermierë të punësuar në sektorin publik, të cilët janë ndjerë të diskriminuar  me vendimin e Ministrit të Shëndetësisë të nxjerrë për pagesën e shtesave vetëm për mjekët specialist ku është krijuar një dallim në trajtimin e infermierëve në raport me mjekët, ndonëse të dyja kategoritë janë nëpunës të sistemit shëndetësor si dhe bëjnë punë ekipore brenda institucionit shëndetësor në të cilin punojnë.FSSHK vlerëson se ky dallim ngre dyshime serioze për pajtueshmërinë e tij me parimin kushtetues të barazisë para ligjit dhe ndalimin e diskriminimit.

Andaj FSSHK i është drejtuar me kërkesë të vlerësimit të ligjshmërisë dhe pajtueshmërisë me Kushtetutën të dispozitave të Ligjit për Plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit Nr. 08/L-196 për Pagat në Sektorin Publik, si dhe të akteve nënligjore dhe vendimeve të nxjerra për zbatimin e tij, të cilat kanë krijuar një trajtim të ndryshëm ndërmjet kategorive të nëpunësve të sistemit shëndetësor. Neni 33 i Ligjit Nr. 08/L-196 për Pagat në Sektorin Publik dhe Rregullorja (QRK) Nr. 02/2023 për Shtesën e Nëpunësit të Sistemit Shëndetësor e përdorin termin “nëpunës i sistemit shëndetësor”, duke mos bërë dallim ndërmjet mjekëve, infermierëve dhe profesionistëve të tjerë shëndetësorë. Përkundrazi, ligjvënësi i ka trajtuar këto kategori si pjesë të së njëjtës kategori juridike, duke u njohur të drejta dhe përfitime sipas kritereve të përcaktuara me ligj e që dallimi vihet në pah tek kriteret për përfitimin e kësaj shtesë në të cilën janë përcaktuar vetëm mjekët specialist të punësuar në kujdesin parësor,dytësor dhe tretësor.

Pas bashkëbisedimit me Avokatin e Popullit i njejti u zotua se me vëmendje dhe interesim brenda afatin ligjor do të shqyrtoj dhe vendos në lidhje me pretendimet e FSSHK-së.

Me respekt

FSSHK

 

0
Creative Theme