Lajme dhe Ngjarje

SINDIKATAT E SEKTORIT PUBLIK ANKOHEN LIDHUR ME LIGJIN E PAGAVE

Posted by:

Sipas Ali Gashit, nga Sindikata e Pavarur e Administratës së Kosovës, mosvendosja e vlerës së koeficientit në Ligjin e Pagave është absurditet në vete.

“Një çështje tjetër është përcaktimi i vlerës së koeficientit. Pasi këtu tentohet të thuhet, dashje apo jo qe kemi të bëjmë me një ligj që rregullon strukturën dhe çështjen e koeficientit. Në realitet nuk është kjo e vërtet. Nëse e lexojmë, ky projektligj është projektligj për pagat në sektorin publik. Dhe realisht ky është qëllimi. Me këtë ligj, rregullohet dhe përcaktohet paga. Prandaj mosvendosja e vlerës së koeficientit në një far forme është absurditet në veti”, tha ai në “Këndi i Debatit” në Tëvë 1.

Ndërsa, kryetari i Sindikatës së Policisë, Ymer Zeqiri bëri të ditur se kërkesa e tyre ka qenë që vlera e koeficientit të mos i bie më pak se 50% e pagës minimale.

Ai theksoi se në takim me Qeverinë u kanë thënë se nëse nuk e dinë vlerën e koeficientit, atëherë çfarë do u thonë punëtorëve që përfaqësojnë.

“Në realitet kërkesa jonë ka qenë kështu, jo më pak se 50% e pagës minimale. Tash dhe kolegët e mi e përmendën…që këtu mos është duke u luajtur një lojë, derisa projektligjin për paga po duan ta aprovojnë, e projektligjin për pagë minimale ka kaluar në lexim të parë, lexim të dytë, nuk e ka përmend askush ta hudhin në votim, dhe të kalojë ky. Që në start u kemi thënë që nëse nuk e dimë vlerën e koeficientit atëherë çfarë do tu themi punëtorëve tanë që i përfaqësojmë. Unë shumë i qartë kam qenë në takim, tash unë kur të dalë prej këtu, sa me i thon policit që e ka pagën”, tha ai.

Ndërkaq Tevide Imeri, kryetare e Sindikatës së Shëndetësisë, potencoi se vlera e paraparë në Ligjin e Pagave nuk është e kënaqshme, por sado pak do zbuste pakënaqësitë në shëndetësi.

“Çështja është që ne jemi lidhë me pagën më të ulët në Kosovë dhe e kemi marrë vlerën përgjysmë të pagës më të ulët e cila nuk është aprovuar akoma, kemi llogarit 120, aty pari të sillet 120-130, nuk është që është e kënaqshme, sepse po ta shihni migrimin e punëtorëve shëndetësorë absolutisht as për së afërmi nuk i plotësojnë këto kushte edhe me këtë vlerë të koeficientit edhe me këtë rangim ku është bërë tash në Ligjin e Pagave. Por megjithatë do t’i kënaqte ose zbuste pak a shumë pakënaqësitë në shëndetësi”, theksoi ajo.

Kurse nënkryetarja e SBASHK-ut, Vjollca Shala bëri të ditur kërkesat e tyre që kanë pasur sa i përket këtij projektligji, teksa shtoi se njëra prej tyre veçse është plotësuar.

“Ndërsa si kërkesë e jona, natyrisht ka qenë edhe kërkesa meqë është thënë se Ligji i Pagave do të hyjë në fuqi tetë ose nëntë muaj pas shpalljes në gazetën zyrtare, ndërsa tani thuhet se Ligji i Pagave do të hyjë në fuqi një muaj pas shpalljes në gazetën zyrtare, kështu që kjo është në rregull, pasi kjo ka qenë edhe kërkesë e jonja. Po ashtu ka qenë edhe kërkesë që mësimdhënësit e arsimit fillor të mesëm të ulët ata prej klasës 1 deri në klasën e 6 të kenë koeficientin të barabartë me ata të cilët janë si mësimdhënës lëndor, që ne i quajmë, por ata bëjnë pjesë 6 – 9, do të thotë mësimdhënësit që japin mësim nga klasa e 6 deri në klasën ë 9. Dhe natyrisht kemi arritur që këta mësimdhënës ta kenë koeficientin e barabartë. Do të thotë njësoj sikur ata prej klasës 1 deri n 5, njëjtë me ata prej 6 deri në 9, ngase edhe tani e kanë”, shtoi ajo.

Së fundmi nga SBAShK-u i kanë dhënë afat Qeverisë deri në janar, që të fillojë zbatimin e Ligjit për Paga. Teksa, nga Instituti Demokratik i Kosovës ( KDI ) kanë thënë se Gushti i 2023-ës mund të shihet si datë kur mund të hyjë në fuqi Ligji i Pagave. /Teve1.info/

0
Creative Theme