Lajme dhe Ngjarje

Protesta e punëtorëve shëndetësorë para MSH-së, Imeri: Qeveria po i sheh sindikatat si armiqë

Posted by:

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës të enjten ka mbajtur protestë para objektit të Ministrisë së Shëndetësisë, ku kanë paraqitur disa kërkesa.

FSSHK-ja shprehu pakënaqësinë e thellë për ndërprerjen e dialogut social me Ministrinë e Shëndetësisë, mospajtimin me propozimin e qeverisë për rritje të vogël të koeficientit prej 0.5, si edhe mos nënshkrimin e Kontratës Kolektive Sektoriale.

Gjatë protestës ata mbanin në duar pankarta me shkrime “Ndaloni mbylljen e reparteve në spitale”, “Duam kontratë kolektive”, “Mos pengoni aktivitetin sindikal”, “Stop diskriminimit në shëndetësi” e disa të tjera.

Kryetarja e kësaj federate, Tevide Imeri, u shpreh se kjo qeveri nuk i do as sindikatat, e as s’e do dialogun me to, vetëm po i sheh si armiq.

“Sot këtu jemi vetëm një pjesë si këshill drejtues i FSSHK-së me kërkesat të cilat tanimë janë publikuar në media dhe janë: mbyllja e dialogut social, që është qenësore, kontratën kolektive sociale, të cilën kjo Ministri e ka shkëputur njëanshëm. Këta nuk kanë vullnet as të nënshkruajnë kontratën e as nuk kanë vullnet të bëjnë dialog social, vetëm dëshirojnë të shkojmë e t’i dëgjojmë në vazhdimësi, lavdet e tyre dhe prononcimet që i bëjnë në media”, tha Imeri.

Ajo deklaroi se shpreson që kjo të jetë protesta e fundit, ndonëse nuk sheh ndonjë dritë jeshile nga ministria, lidhur me kërkesat e tyre.

Imeri pohoi se kanë pasur një takim aspak të kënaqshëm me ministrin Vitia, aty ku iu kumtua se kontrata selektive sociale është e mbyllur dhe nuk diskutohet.

Sipas saj, është kërkuar nga ministri Vitia mënyra se si do të bëhet rritja e pagave nëpërmjet koeficientit, gjë për të cilën, Imeri thotë se as vet ministri nuk e di.

“Zbritjet e pagave janë duke vazhduar akoma. Ju mund të merrni informata në secilin institucion dhe do të shihni që ka zbritje të pagave çdo muaj në sektorin mbështetës. Ndërsa, rritja e çmimeve e inflacioni, po e shihni vetë se ku janë”, shtoi Imeri./IndeksOnline/

0
Creative Theme