QKUK është obliguar nga Inspektorati i Punës që t’ua paguajë pagat jubilare rreth 1500 punonjësve. Ky vendim i IP-së ka ardhur pas një ankese të Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë
Federata e Sindikatave të Shëndetësisë ka paraqitur një ankesë më 3 dhjetor 2019 në Inspektoratin e Punës ndaj Qendrës Klinike Universitare me anë të së cilës po kërkohet respektimi i Ligjit të Punës për pagesën e shpërblimit jubilar për punëtorët shëndetësorë, shkruan Gazeta Shneta.
Inspektorati ka marr vendim për miratimin e kësaj ankese si të bazuar më datën 10 shkurt të këtij viti, e cila ishte paraqitur nga Kryetari i Sindikatës së QKUK-së Dr. Xhemajl Selmani në emër të 1497 punonjësve të QKUK-së të cilët janë anëtarët të Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë.
“Ankesa me numër protokolli Nr. 1715/19 e datës 03.12.2019, pas shqyrtimit të saj vendosen si e bazuar”, thuhet në vendimin e Inspektoratit të cilin e posedon Gazeta Shneta.
Në vendim tutje thuhet se QKUK është e obliguar ta njoftoj IP-në për eliminimin e parregullsive në afat prej 8 ditësh pas marrjes së këtij vendimi. “Mos njoftimi në afatin e cekur më lartë do të konsiderohet se Vendimi nuk është zbatuar dhe do të ndërmirren veprime juridike në bazë të dispozitës së nenit 92 paragrafi 1 të Ligjit të Punës. Në bazë të nenit 6.4 të Ligjit Nr. 2002/09 dhe 03/L-017 për Inspektoratin e Punës në Kosovë ankesa e ushtruar në Vendimin e Inspektoratit të Punës nuk e shtynë ekzekutimin”, thuhet tutje në këtë vendim, duke ia bërë me dije menaxhmentit të QKUK-së se është e obliguar ta implementojë këtë vendim pavarësisht nëse ushtron ankesë apo jo. Vendimi vlen për punëtorët e QKUK-së me përvojë pune 10, 20 dhe 30 vjet.
Ankesa e FSSHK-së në Inspektoratin e Punës ka ardhur pas shterjes së procedurave administrative brenda institucioneve në QKUK. Dr. Islam Krasniqi anëtar i Kryesisë së FSSHK-së dhe anëtar i Bordit Drejtues të SHSKUK-së pa të drejt vote, ka sqaruar për Gazetën se para se të ushtronin ankesë kishin kërkuar nga menaxhmenti për respektimin e Kontratës Kolektive.
“Pas nënshkrimit të Kontratës Kolektive në vitin 2018 na patën premtuar se shpërblimi jubilar do të paguhej për të gjithë punëotrët shëndetësorë. Kjo ishte paraparë t’i kushtonte buxhetit rreth 5 milionë euro, por ky premtim asnjëherë nuk u realizua”.
Krasniqi ka thënë se kishin bërë përpjekje edhe në Bordin e SHSKUK-së që të gjendeshin forma më të lehta për realizimin e këtij obligimi. “Kemi biseduar me Bordin dhe drejtorin e SHSKUK-së të cilët janë arsyetuar se nuk kanë buxhet. Por ne ju kemi ofruar forma më të lehta për realizimin e këtij neni të Kontratës Kolektive që fillimisht t’iu paguhen punëtorëve me 40 vjet përvojë pune, pastaj atyre me 30 e kështu me radhë. Ndonëse kemi pas dakordim, një gjë tillë sërish nuk është respektuar”, ka deklaruar Krasniqi.
Ai ka theksuar se shteti nuk do të duhej të lejonte që këto shpërblime jubilare të merren nga punëtorët shëndetësorë nëpërmjet avokatëve dhe përmbaruesve privat të cilët përfitojnë nga ky proces në dëm të buxhetit të shtetit. “Prandaj ne kemi ofruar mundësinë e një marrëveshje me palët për realizimin e pagesave me forma më të lehta për të mos ngarkuar buxhetin”, ka thënë Krasniqi. Ai ka shtuar se kostoja e këtij obligimi të dal nga Kontrata Kolektive do të rritet për buxhetin e shtetit nëse shpërblimet jubilare nuk paguhen derisa të hyjë në fuqi Ligji i ri për Pagat.
Kujtojmë se Kontrata Kolektive është nënshkruar nga ish-ministri Uran Ismaili dhe kryetari i FSSHK-së Dr. Blerim Syla në qershor të vitit 2018. Neni 17 i Kontratës përcakton që punëdhënësi obligohet të paguaj shpërblimin jubilar për punëtorët shëndetësorë. /Gazeta Shneta/
FEB
2020