Lajme dhe Ngjarje

Nevojitet intervenim urgjent, kryesindikalistja Imeri: Shëndetësia drejt kolapsit

Posted by:

Janë bërë gjashtë javë që sektori i shëndetësisë ka mbetur pa drejtues, që kur Rifat Latifi dha dorëheqje nga posti i ministrit të Shëndetësisë më 6 tetor.

Kryetarja e Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Tevide Imeri në një deklaratë për Telegrafin ka thënë se nevojitet intervenim urgjent në shëndetësi.

Sipas saj, shëndetësia publike po shkon drejt kolapsit dhe ky fakt po vërehet nga të gjithë njerëzit në Kosovë.

“Në mjekësi duhet të intervenohet sa më urgjentisht për faktin se shëndetësia publike është duke shkuar drejt shkatërrimit. E një gjë e tillë shihet çdo ditë dhe vërehet edhe nga njerëz të cilët nuk janë ekspert të fushës. Shëndetësia publike mund të them se është drejt kolapsit. Profesionistët mjekësor po i lëshojnë spitalet jo vetëm që po migrojnë jashtë vendit mirëpo edhe po lëvizin brenda Kosovës, nëpër klinikat e veta private duke i lënë spitalet”, deklaroi Imeri për Telegrafin.

Për gjendjen në shëndetësi janë deklaruar edhe ish ministri i Shëndetësisë nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, i cili theksoi se lënia e këtij dikasteri pa ministër është dëshmi e keqmenaxhimit të Qeverisë me këtë sektor të rëndësishëm për vendin.

Ndërkaq, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu është shprehur se secila pozitë në Ministrinë e Shëndetësisë ka mbetur vetëm me ushtrues detyre, duke shtuar se shëndetësia kinse ishte një sektor prioritet nga ana e Qeverisë mirëpo e njëjta është shndërruar në një vend të grupeve të interesit. /Telegrafi/

0
Creative Theme