Lajme dhe Ngjarje

Intervista e Kryetarit te FSSHK-se Dr. Blerim Syla dhënë në Radio Evropa e Lirë me date 25.07.2020 me temë “Spitalet me kapacitete të kufizuara e staf shëndetësor të infektuar”

Posted by:

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, u bëri thirrje qytetarëve të shtunën që të jenë të kujdesshëm gjatë pandemisë së koronavirusit, derisa ka treguar se edhe hapësira me shtretër për personat e sëmurë po zvogëlohet.

Ai tha se nga gjithsej shtatëqind shtretër në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe në spitalet rajonale, vetëm edhe 130 shtretër kanë mbetur në dispozicion për personat e infektuar me koronavirus.

“Ne po bëjmë të pamundurën brenda shërbimit spitalor për të krijuar kapacitete shtesë për të parandaluar situatën ku nuk kemi ku t’i shtrijmë njerëzit që kërkojnë të shtrihen në spital”, tha Hoti të shtunën, pas takimit të Komitetit për koordinimin dhe vlerësimin e situatës emergjente me koronavirus në Kosovë.

Hoti tha se aktualisht institucionet përkatëse janë duke punuar në riorganizim të ri në QKUK dhe ndoshta mbylljen e disa klinikave për t’i shfrytëzuar më pas ato për personat e prekur me koronavirus.

“Tash duhet mbyllur ndoshta disa prej klinikave dhe për t’i vënë në dispozicion të menaxhimit të kësaj situate. Në ndërkohë po punojmë edhe me spitale private në mënyrë që të krijojmë kapacitet shtesë”, tha Hoti.

Kryeministri ka shprehur shqetësimin e tij edhe për mosrespektimin e masave në disa raste dhe, siç tha ‘mosrespektimin e detyrave nga policia dhe Inspektorati’.

“Kemi pasur gjatë ditëve të fundit aktivitete sportive në masë. Ka pasur edhe protesta pa lejen e policisë dhe duke mos respektuar masat. Kjo nuk është e tolerueshme dhe nuk do të tolerohet dhe personat përgjegjës në zinxhirin komandues komplet të institucioneve duhet të marrin përgjegjësi për mosrespektimin e vendimeve të qeverisë”, tha Hoti.

Ai shtoi se tri instrumentet e vetme që mundësojnë menaxhimin e situatës me koronavirus janë mbajtja e detyrueshme e maskës, mbajtja e distancës dhe mbajtja e higjienës personale.

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani, tha se në ditët në vijim do të rritet numri i testeve për personat që dyshohen se janë të prekur me COVID-19.

“Kapacitetet së shpejti do të zgjerohen edhe në laboratorët private dhe në institutet rajonale. Pra, do të zgjerohen kapacitetet në të gjitha qendrat për teste serologjike”, tha Ramadani.

Momentalisht në IKSHPK bëhen rreth 500 testime në ditë

Ndryshe, Federata Sindikale e Shëndetësisë në Kosovë, thotë se më shumë se 400 punëtorë shëndetësorë janë të infektuar me koronavirusin e ri.

Drejtuesit e sindikatës kanë ngritur shqetësime se nga infektimi i punëtorëve shëndetësorë, kujdesi ndaj pacientëve po vihet në rrezik.

Kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Dr. Blerim Syla, tha për Radion Evropa e Lirë, se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, duhet të bëjë më shumë teste për mjekët, infermierët dhe stafin përcjellës.

“Me të vërtetë situata është alarmante dhe punëtorët janë duke u lodhur dhe domosdoshmërisht do të bije edhe shërbimi kur të dalin nga sistemi afër 700 veta të izoluar. Po them kështu se nuk kemi statistika [për personelin mjekësor i vetizoluar] prandaj kjo me të vërtetë është shumë alarmante”, tha Syla.

Federata aktualisht është duke kërkuar urgjentisht të bëhen teste më shumë te punëtorët shëndetësorë të cilat janë të vetizoluar në mënyrë që siç theksohet, situata të jetë nën kontroll.

“Nuk e dimë dhe nuk kemi numra se sa punonjës shëndetësor janë në vetizolim. Këtu është ai problemi sepse nuk po e dimë. Shpesh dikush vet po shkon në vet izolim mirëpo, duhet të vendoset një rregull. Tek e fundit të rritet numri i testimeve te punëtoret shëndetësor dhe ta dimë realitetin në mënyrë që stafi të mos shkojë në vetizolim, por të kryejë shërbim”, tha Syla

Në Kosovë, në mesin e punonjësve shëndetësorë që janë infektuar me koronavirusin e ri, bëjnë pjesë edhe 8 mjekë anesteziologë dhe 30 infermierë të Klinikës së Anesteziologjisë dhe mjekimit intensiv në kuadër të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, në fillim të këtij muaji tha se “infektimi i një numri të lartë të personelit shëndetësor, mund të paraqesë sfidë serioze në trajtimin adekuat të pacientëve”.

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, por edhe në spitalet e tjera në Komuna të Kosovës, si dhe të gjitha spitalet rajonale në vazhdimësi gjatë viteve të fundit janë përballur me mungesë të anesteziologëve.

Ndërkohë, numri i rasteve në Kosovë ka shkuar në 6917 ndërsa i viktimave në 169 që nga paraqitja e rasteve të para me koronavirus. Numri i të shëruarve ka arritur në 3753.

 

0
Creative Theme