Lajme dhe Ngjarje

Kryesindikalisti Syla thotë se SHSKUK i mashtroi për zbatimin e Kontratës Kolektive

Posted by:

Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë Dr. Blerim Syla, ka deklaruar se janë mashtruar nga drejtoria e SHSKUK-së sa i përket zbatimit të Kontratës Kolektive Sektoriale. Ai hedh disa akuza në drejtim të drejtorit Dr. Basri Sejdiu, ndërsa thotë se do të kërkojë përgjegjësi ligjore. Në anën tjetër nga SHSKUK thonë se kanë krijuar komisionet për realizimin e benificioneve që dalin nga KKS

Në qershor të vitit të kaluar është nënshkruar Kontrata Kolektive Sektoriale ndërmjet ministrit të Shëndetësisë Uran Ismaili dhe Kryetarit të Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë Dr. Blerim Syla. Por ky i fundit përveç kujdestarive, shprehet i zhgënjyer e madje i mashtruar nga drejtoria e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar, shkruan Gazeta Shneta.

Syla thotë se drejtoria e SHSKUK-së nuk po don ta zbatojë KKS-në dhe për këtë ka deklaruar se do të kërkojë përgjegjësi. “Jemi të zhgënjyer sepse ky është një lloj mashtrimi nga ana e drejtorisë së SHSKUK-së sepse në KKS janë implementuar vetëm kujdestaritë ndërsa benificionet tjera janë duke ngecur. Ne jemi marr vesh që rrezikshmërinë ta shtyjmë deri në janar të këtij viti, derisa institucioni të bëj përgatitje financiare, por ndërkohë ato orë të kompensohen. Për t’i ikur implikimeve buxhetore kemi përcaktuar orarin e shkurtuar dhe ditë të pushimeve për disa grupe. Asnjë nga këto nuk janë implementuar”, ka deklaruar Syla.

SHSKUK në një përgjigje për Gazetën Shneta deklaron se Drejtori i Përgjithshëm Dr. Basri Sejdiu, më datë 02.10.2018, ka nxjerr vendim për formimin e komisionit për hartimin e Qarkoreve informuese për përcaktimin e orarit të punës dhe kohëzgjatjen e pushimit vjetor për punonjësit me rrezikshmëri në vendin e punës, duke u bazuar në Ligjin e Punës dhe Kontratës Kolektive Sektoriale.

“Komisioni në përbërje prej pesë anëtarëve, në përfaqësim edhe nga FSSHK, në qarkore informuese kanë përfshi të gjitha vendet e punës që janë vlerësuar me rrezikshmëri sipas KKS. Komisioni janë pajtuar që të drejtat që jep kjo qarkore të jetë si masë e përkohshme deri në vlerësimin e riskut në punë nga institucionet të licencuara konform legjislacionit në fuqi”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së.

Por ndryshe deklaron Syla. Ai pohon se kanë punuar bashkë me administaratën por pasi janë dakorduar, më pas gjithçka ka ndryshuar nga ato që ishin marr vesh. “Ata kanë sjellë disa rregullore të brendshme për të cilat nuk e di ku bazohen por ato janë më shumë për të blerë kohë për të mos zbatuar KKS-në. Rregulloret nuk mund të dalin mbi KKS-në dhe Ligjin. Drejtoria e SHSKUK-së lëshon qarkore të pakjarta dhe të padefinuara. Blejnë kohë dhe nuk dinë çka nënshkruajnë. Për këtë kemi pasur kontest në Gjilan të cilin e kemi fituar”, ka thënë Syla.

“Është çështja për orar të punës dhe ditët e pushimit për grupet e rrezikuara të cilat janë përcaktuar para nënshkrimit të kontratës dhe anomalia më e madhe është se drejtori i SHSKUK-së thotë se ‘ndoshta ministri nuk e din çka ka nënshkruar’. Kjo është një moskoordinim ndërmjet ministrit dhe drejtorit të SHSKUK-së”, ka shtuar ai.

Në adresë të Gazetës Shneta ka pasur ankesa nga Klinika Emergjente si një nga grupet e rrezikuara të cilat duhet të gëzojnë benificionet nga KKS. Punëtorët e kësaj klinike ende nuk i gëzojnë as 30 ditë pushim vjetor, sikurse ka ndodhur në disa klinika tjera.

SHSKUK thotë se vendet e punës të cilat nuk janë përfshirë për pushime vjetore 30 ditëshe, do të vlerësohen nga komisioni dhe varësisht nga ky vlerësim do të kompensohen. “SHSKUK ka filluar realizimin e projektit për vlerësimin e riskut në vendet e punës nga institucione të licencuara sipas dispozitave ligjore në fuqi. Vlerësim i riskut në punë ka përfunduar për një njësi dhe është në proces për njësit tjera. Në bazë të këtij vlerësimi të gjithë punëtorët do të përfitojnë të drejtat që ju takojnë sipas ligjeve në fuqi”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së.

Por Syla pohon se drejtori i SHSKUK-së nuk po donë me zbatu kontratën. “T’i thuash Emergjencës jo, grupeve kirurgjikale të cilat punojnë në 40 gradë celsius në salla me rrezikshmëri të infeksioneve, te Klinika Infektive dhe të tjerat të cilat janë të atakuara, janë shkelje njerëzore dhe ligjore për të cilat duhet të jepet përgjegjësi”, ka deklaruar Syla. Ai ka ofruar dy interpretime nga Zyra Ligjore e MSH-së, e cila ia bën me dije kryetarit të Bordit të SHSKUK-së Dr. Naser Ramadani që duhet ta zbatojnë KKS-në.

Gazeta ka pyetur SHSKUK-në edhe për kompensimin e infermierëve që punojnë me ndërrime, si dhe për disa grupe infermieresh që punojnë në vende të rrezikuara e të cilët nuk paguhen.

“Punëdhënësi për çdo punëtorë që punon me ndërrime të natës i kompenson punët shtesë ( për çdo muaj 26 orë shtesë). Po ashtu bënë kompensimin për çdo muaj nga 8 orë ndërrim të natës si pagesë për orë shtesë”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së, të cilët poashtu pohojnë se pas vlerësimit të rrezikut në punë, do të paguhen të gjithë punëtorët.

Por Syla deklaron se administrata ka shkelur standardet dhe tani nuk mund të flitet për grupe të caktuara por për punëtorët në tërësi. “Janë shkelur standardet, në disa klinika është bërë orari i shkurtuar në disa të tjera jo. Tash është e pamundur të diskutohet për grupe të caktuara. Nëse infermierët kanë gjysmë ore më pak pushim, atëherë ato duhet të kompensohen. Por për të gjitha këto administrata e SHSKUK-së nuk duan të dëgjojnë”, ka deklaruar Syla.

Ai ka akuzuar se SHSKUK ka krijuar një komision për rrezikshmëri në të cilin nuk janë përfshirë sindikalistët. “Nuk e dimë kush janë ata njerëz dhe si do ta përcaktojnë rrezikshmërinë. Po vijnë disa organizata fantome të cilat paguhen dhe nuk dihet se kush janë. Kjo drejtori në krye me Basri Sejdiun po i bëjnë disa gjëra që nuk i ka bërë asnjë drejtori. Kemi kërkuar nga ministri që të merren masa, por nuk kemi ende përgjigje. Tani do të ftojmë Inspektoratin e Punës dhe rastin do ta dërgojmë edhe në Gjykatë”, ka deklaruar Syla.

Ai po ashtu ka ngritur dyshime edhe për sistemimin e vendeve të punës, për të cilin thotë se po kryhet nga një kompani e cila po paguhet nga SHSKUK. “Është krijuar një praktikë në këtë drejtorinë aktuale që të merren grupe nga jashtë për të bërë fizibilitete. Unë bëj apel që të kenë kujdes sepse Federata nuk do ta pranojë asnjë vendim të tyre. As për sistematizimin e vendeve të punës për çka ne kemi punuar dy vjet. Tani drejtoria si duket ka angazhuar një kompani të cilën po e paguan dhe kjo është tmerr dhe duhet të kërkohet përgjegjësi. Ne kemi njoftuar Bordin dhe në shtator do të marrim masa juridike dhe sindikale”, ka deklaruar kryesindikalisti Blerim Syla. /Gazeta Shneta/

 

0
Creative Theme