Lajme dhe Ngjarje

Marrëveshje ndërmjet FSSHK-së dhe OMK-së: Luftë e përbashkët për mbrojtjen e dinjitetit

Posted by:

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë dhe Oda e Mjekëve të Kosovës kanë nënshkruar sot një marrëveshje me anë të së cilës synojnë t’i bashkërendojnë aktivitetet në mbrojtje të dinjitetit të profesionistëve shëndetësorë

Një takim ndërmjet krerëve të Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë dhe Odës së Mjekëve të Kosovës, ka rezultuar me një marrëveshje të përbashkët. Dy kryetarët, Dr. Blerim Syla dhe Dr. Pleurat Sejdiu, kanë nënshkruar sot marrëveshjen me të cilën kanë thënë se do t’i bashkërendojnë aktivitetet në luftën për sigurimin e dinjitetit të profesionistëve shëndetësorë.

Syla ka deklaruar se qëllimi i përbashkët është që të punohet në të mirë të të gjithëve dhe që shëndetësia njëherë e përgjithmonë ta merr vetën dhe të sigurohet komuniteti i mjekëve të cilët sipas tij deri më tani kanë qenë të pambrojtur nga sistemi, shkruan Gazeta Shneta.

“Me këtë marrëveshje secili do t’i merr përsipër përgjegjësitë e veta dhe punëtorët shëndetësorë do të kenë adresë për problemet e tyre. Lufta për dinjitet dhe mirëqenie do të jetë e përbashkët edhe me sindikatat tjera”, ka deklaruar Syla.

Kryetari i Odës ka thënë se qëllimi i përbashkët është që të sigurohet dinjiteti personal dhe profesional në shoqëri, që sipas tij ka qenë i nëpërkëmbur. “Nëse arrijmë që mjeku ta ketë pozitën e vetë të duhur në shoqëri, atëherë ky do të jetë suksesi jonë më i madh”, ka thënë Sejdiu.

“Përmes ruajtjes së dinjiteti nënkuptojmë edhe ruajtjen e ligjshmërisë së sistemit, jo vetëm t’i mbrojmë mjekët apo anëtarët tonë, por t’i mbrojmë në bazë të ligjeve ku mbrohet e drejta dhe detyrimet e tyre”, ka shtuar ai.

Sejdiu ka bërë të ditur se shumë shpejt do të nisin punën e përbashkët në hartimin e një drafti për ligjin për të drejtat dhe detyrimet e mjekëve. Ai ka thënë tutje se do të kenë program të përbashkët për lobim për kërkesat e tyre, ndërsa ka theksuar se greva do të jetë opsioni i fundit për plotësimin e tyre.

  

0
Creative Theme