
Instituti për Politika Sociale Musine Kokalari zhvilloi të martën një takim me Federatën e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, ku u diskutua gjendja në sektor dhe sfidat me të cilat përballen punëtorët shëndetësorë.
Përfaqësuesit e Federatës theksuan se dialogu social me institucionet mbetet i kufizuar dhe jofunksional. Sipas tyre, komunikimi me qeverinë nuk ka prodhuar rezultate konkrete. Ata ngritën shqetësime edhe për ndërhyrje në funksionimin e brendshëm të sindikatave dhe për presione ndaj udhëheqjes sindikale.
Sipas Federatës, Ligji për Zyrtarët Publikë ka ndikuar negativisht në pozitën e punëtorëve dhe në funksionimin e organizimit sindikal. U theksua gjithashtu se ka raste të shkeljes së të drejtave sindikale dhe mungesë të mbështetjes institucionale.
Rënia e anëtarësisë u identifikua si një çështje shqetësuese. Përfaqësuesit e Federatës e lidhën këtë me faktorë ekonomikë dhe mungesë të angazhimit aktiv, duke theksuar nevojën për përmirësimin e komunikimit dhe ndërgjegjësimit mbi rëndësinë e organizimit sindikal.
Në këtë drejtim, u diskutuan masa konkrete për rritjen e anëtarësisë, përfshirë përdorimin e komunikimit publik dhe krijimin e mekanizmave për identifikimin dhe menaxhimin e anëtarëve.
Përfaqësuesit e Federatës theksuan se kushtet e punës mbeten të vështira. Orari i zgjatur dhe ngarkesa e lartë janë veçanërisht të pranishme në repartet me rrezikshmëri të lartë, si dializa, ku puna zhvillohet me intensitet të lartë dhe me pushime të kufizuara.
Gjatë takimit u diskutua nevoja për hartimin e një kontrate kolektive, si mekanizëm për rregullimin e marrëdhënieve të punës dhe mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve në sektorin e shëndetësisë.
Përfaqësuesit e Institutit për Politika Sociale Musine Kokalari theksuan rëndësinë e forcimit të kapaciteteve organizative të sindikatave dhe shprehën gatishmërinë për të kontribuar me ekspertizë në këtë proces.
Ndërtjera u diskutua edhe nevoja për bashkëpunim më të gjerë ndërmjet sindikatave, përfshirë mundësinë e krijimit të një unioni të përbashkët në sektorin publik.
Digjitalizimi i proceseve sindikale u identifikua si një sfidë, veçanërisht në raport me platformën e-Kosova, ku, sipas pjesëmarrësve, mungon një menaxhim efektiv i anëtarësimit nga vetë sindikatat.
Takimi shërbeu për të identifikuar sfidat kryesore dhe për të diskutuar hapat e mundshëm për forcimin e rolit të sindikatave dhe përmirësimin e kushteve të punës në sektorin e shëndetësisë.
(Ky aktivitet përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) “EJA Kosovë”, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Suedia).
APR
2026
