Lajme dhe Ngjarje

Syla: Kosova ka filluar të mbetet pa mjekë, kriza po na troket

Posted by:

Kryetari i FSSHK-së Blerim Syla në një intervistë për “Zërin” ka thënë se kushtet e punëtorëve shëndetësorë viteve të fundit vetëm janë përkeqësuar. Ai e ka parë si shqetësuese mungesën e punëtorëve shëndetësorë në vend dhe ikjet e vazhdueshme të tyre, shkruan sot gazeta Zëri.

Më së shumti deri në 10 vjetët e ardhshëm shëndetësia në Kosovë vlerësohet se do të jetë në krizë të thellë, për shkak të ikjes së punëtorëve shëndetësorë nga vendi.

Kryetari i Federatës së Sindikatave i Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla, në një intervistë ekskluzive për “Zërin” ka thënë se Kosova ka rreth 5 mijë punëtorë shëndetësorë mangët, derisa e ka konsideruar si shqetësuese ikjen e vazhdueshme të këtyre punëtorëve. Ai ka deklaruar se së fundmi kanë filluar të mbyllen edhe repartet nëpër spitalet rajonale në vend, derisa mungesa enorme e personelit shëndetësor po vazhdon të ndihet në shumë komuna. Syla po ashtu ka folur për ofertat e shumta të punës që po u vijnë mjekëve e infermierëve kosovarë nga shtete të ndryshme të botës. Sipas tij, vetëm Gjermania është duke i kërkuar mbi 100 mijë punëtorë shëndetësorë, e cila përqendrimin për rekrutim të këtij kuadri e ka në Kosovë e në Shqipëri. Njëra nga pakënaqësitë e shumta të punëtorëve shëndetësorë në vend ka qenë edhe pezullimi i Ligjit të Pagave, i cili parashihte rritje të koeficientit për ta, Syla ka thënë se në rast se ky ligj nuk kalon në muajin mars, atëherë ekziston rreziku që vendi të kalojë në një tragjedi sociale. Ai është shprehur se nëse buxheti për shëndetësi gjatë këtij viti rritet dhe nëse merren veprimet e duhura për këtë fushë, atëherë presin ditë më të mira me qeverinë e re.

Krizë për mjekë në 10 vjetët e ardhshëm

Zëri: A ka pasur përmirësim të kushteve për punëtorët shëndetësorë gjatë vitit të kaluar në Kosovë?

Syla: Përmirësim të kushteve për punëtorët nuk ka pasur jo vetëm vitin e kaluar, por nuk ka pasur qe tre vjet e më shumë, vetëm sa është duke u përkeqësuar gjendja e tyre. Rikujtojmë se ne rritje të pagave nuk kemi pasur, tani po hyjmë në vitin e katërt. Edhe kushtet sa i përket sigurisë e shëndetit në punë, që janë me ligj të garantuara, nuk janë. Ne shpesh rrezikohemi nga sëmundjet. Jeni dëshmitarë të disa rasteve që janë paraqitur në Radiologji dhe në vende të tjera, ku për shkak të këtyre kushteve kemi edhe raste me kancer. Mund të them se kushtet te punëtorët shëndetësorë jo që nuk janë përmirësuar, por janë përkeqësuar këto vitet e fundit.

Zëri: Cilat janë problemet kryesore në sistemin shëndetësor dhe çfarë hapash duhet të ndërmerren këtë vit për të pasur përmirësime?

Syla: Ne duhet të orientohemi në dy çështje. Çështja e parë është legjislacioni, do të thotë sa më shpejt duhet të punohet në përmirësimin e Ligjit mbi Shëndetësinë dhe vetvetiu edhe në fillimin e ligjeve të sigurimeve shëndetësore. Nuk po them se këtë vit kjo të ndodhë, porse të paktën në dy e deri në tre vjetët tjerë. Këta janë hapat e parë që kishin për t’i marrë sa i përket infrastrukturës ligjore. Hapi i dytë është përmirësimi i gjendjes. Kur them përmirësimin e gjendjes së punëtorëve shëndetësorë nuk them vetëm te mirëqenia, por edhe te kushtet e punës. Nuk mundemi të ofrojmë shërbime në kushtet çfarë janë sot, sepse popullata normalisht se është e pakënaqur me këto kushte. Investimet duhet të jenë shumë më të mëdha, jo vetëm në barna, por ato duhet të jenë në material shpenzues e në infrastrukturë. Kur them infrastrukturë po flas për aparaturën dhe përfundimisht duhet të investojmë edhe në resurset njerëzore. Kjo është një arsye pse edhe po ikin njerëzit. Po ashtu të jepen specializime për vendet e duhura. Ne qe katër vjet nuk kemi specializime, po e shihni se në çfarë ngërçi është shëndetësia. Këto janë dy pikat kryesore me të cilat duhet të merret urgjentisht këtë vit Qeveria.

Zëri: Sa është shqetësuese ikja e mjekëve dhe sa rrezikon Kosova të mbetet në një të ardhme të afërt pa mjekë?

Syla: Kosova ka filluar të mbetet pa mjekë, vetëm kush nuk do ta shohë këtë realitet. Ka mungesë të madhe të mjekëve për kokë banori. Vetëm Shqipëria ka mangësi më të madhe sesa ne, ndërsa shtetet tjera janë më përpara. Ne kemi diç mbi 2 mjekë në 10 mijë banorë dhe ky është një standard tepër i ulët, duke e krahasuar me standardet evropiane, por edhe duke i krahasuar nevojat çfarë i kemi. Ne kemi 5 mijë punëtorë shëndetësorë mangut në sistem. Te mjekët familjarë, ku është porta e parë, mosha mesatare ka mbërritur 57 vjeç dhe kemi 200 mjekë familjarë mangut. Ne nuk kemi informata shumë të sakta, por duke marrë moshën mesatare të mjekëve, që është 53 vjeç, kriza në derë është duke na trokitur. Jemi të gjithë dëshmitarë të mbylljeve të disa reparteve. Kriza në pesë, maksimalisht në 10 vjetët e ardhshëm do të jetë aq e madhe, saqë është e paimagjinueshme se si të rikuperohet. Është vështirë sot ta ndërtojmë një profesionist shëndetësor. Një profesionisti shëndetësor që të jetë i pavarur i duhen minimumi 15 vjet shkollim specialistik dhe pavarësi për ta ofruar një shërbim çfarë duhet.

Shumë reparte, drejt mbylljes

Zëri: Në cilat qytete më së shumti ndihet nevoja e personelit shëndetësor?

Syla: Ne vitin e kaluar si federatë kemi pasur takime të vazhdueshme në shumë komuna të vendit. Komunat, sidomos ato më të voglat, janë më të atakuara, duke filluar nga Hani i Elezit, Kaçaniku, Juniku, Deçani, Dragashi e Kamenica. Në këto rajone gjatë takimeve me zyrtarë komunalë janë evidencuar mungesat enorme. Ndërsa sa u përket spitaleve, kemi raste të mbylljeve të reparteve. Kemi rastin në Gjakovë, ku Oftalmologjia është mbyllur. Kemi rastin kur kemi vetëm një doktor të ORL-së në Gjakovë. Infektivja është në mbyllje e sipër. Kemi edhe raste të tjera të reparteve të spitaleve regjionale. Ndoshta këtu është pak problem edhe ndarja e personelit, sepse të gjithë kanë kërkuar të koncentrohen në Prishtinë, mirëpo falë politikave të mbrapshta që janë zhvilluar deri tani dhe specializimeve çfarë janë dhënë është shkaktuar kriza. Sot edhe në perspektivë nuk kemi mjekë specialistë ose në specializim, të cilët do t’i mbushin këto klinika ose reparte të sipërpërmendura. Nëse në një qytet ku ka 200 mijë banorë mbyllen 3-4 reparte shëndetësore, kjo me të vërtetë është një kosto e papërballueshme për popullatën, sepse ata tani detyrohen të shkojnë në qytetin tjetër për të marrë shërbimin.

Zëri: Për sa kohë mund të zgjidhet çështja e specializimeve, pasi po shohim që spitalet po hapin konkurse për mjekë, por që nuk po u shkon askush?

Syla: Këtu është me ndikim edhe faktori pagë. Nuk mundesh ta detyrosh një mjek specialist me një pagë 630 euro të shkojë të punojë. Ne kemi propozuar si federatë në bashkëpunim me Odën e Mjekëve që specializimet të jepen në bazë të nevojave. Po shpresojmë që me ministrin e ardhshëm do ta rregullojmë këtë çështje bashkërisht dhe atëherë do ta shihnim në horizont ndonjë mundësi, e cila do t’i mbulonte këto. Përndryshe, në këtë situatë, me këto paga dhe me këto stimulime, është shumë e paimagjinueshme që t’i detyrojmë njerëzit të shkojnë të japin shërbime larg vendit të tyre.

Zëri: Cilat janë shtetet që po kërkojnë më së shumti punëtorë shëndetësorë nga Kosova?

Syla: Punëtorët shëndetësorë kanë pritur vitin e kaluar në dhjetor që t’i marrin pagat, mirëpo duke parë që nuk kemi stabilitet ekonomik, edhe po të rriten këto paga mjekët e rinj, sidomos studentët, tashmë duket që kanë vendosur për jetën e tyre. Dihet tani shumë qartë që Gjermania është vendi i parë që kërkon mjekë dhe infermierë të kualifikuar, sidomos nga këto trojet tona. Unë kam një informatë që diku përmbi 100 mijë punëtorë shëndetësorë kërkohen. Koncetrimi i Gjermanisë është sidomos në Shqipëri dhe në Kosovë. Fakti që njëra ndër kompanitë që merret me dërgimin e mjekëve në Gjermani i ka të regjistruar brenda ditës rreth 150 infermierë, të cilët e ndjekin kursin e gjuhës gjermane, flet për përmasat e problemit. Pra Gjermania është në vendin e parë, mirëpo në krizë për personel mjekësor kanë filluar të futen edhe Britania e Madhe, Zvicra dhe Austria. Vitin e kaluar kemi pasur kërkesa edhe nga Katari për mjekë nga Kosova. Kërkesat vetëm janë duke u rritur. Normalisht pagesa dhe perspektiva e tyre është më mirë. Shkollimi i mjekëve është një kosto në vete për çdo shtet dhe për çdo familje. Sot është shumë më lehtë për shtetet e Evropës që ta marrin një doktor e një infermier të ri, të cilin ne e kemi shkolluar ne dhe për këtë kemi shpenzuar para jo të pakta. Këto janë politikat e mençura, të cilat i bën Evropa, ndërsa politikanët tanë as që e kanë idenë se si duhet të veprojnë.

Nëse s’kthehet Ligji për Paga, rrezik për një tragjedi sociale

Zëri: Kemi parë që vitin e kaluar Ministria e Shëndetësisë e Kosovës ka lidhur një marrëveshje me Ministrinë e Shëndetësisë në Gjermani, ku është folur edhe për lehtësimin e procedurave për infermierët kosovarë që duan të shkojnë atje. Sa mund ta penalizojë kjo shëndetësinë kosovare?

Syla: Si duket politikanët kur thonë zbutjen e papunësisë e kanë parasysh migrimin. Kjo është e tmerrshme. Për dallim nga shtetet tjera, ato marrëveshje ndërshtetërore arrihen mes Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale e jo mes Ministrisë së Shëndetësisë. Domosdo efekt negativ në largimin e të rinjve ka luajtur edhe propaganda që është bërë. Unë kam qenë ithtar që të arrihet një marrëveshje e mirëfilltë në mes të dy ministrive, që këta njerëz tek e fundit të gëzojnë kontrata valide sikurse i kanë banorët e Evropës. Të jeni të bindur se shumica e tyre kur të shkojnë atje nuk janë në agjendë siç u premtojnë. Si Federatë kemi shprehur brengën tonë, sepse këto informata që i marrim janë nga sindikatat simotra gjermane dhe pasojat janë shumë të mëdha. E para pasojë është largimi, e dyta është se këta infermierë nuk paguhen sa e meritojnë dhe nuk paguhen si ata tjerët dhe e treta, deri te integrimi do të jetë një periudhë shumë e vështirë.

Zëri: Sa i përket Ligjit për Paga, e dimë që patët ndërmarrë disa masa. Nëse ky ligj nuk kalon në muajin mars çfarë masash do t’i merrni si Federatë?

Syla: Ne kemi marrë të gjitha masat, edhe sindikale. Ne nuk duam të bëjmë kurrfarë presioni. Ne kemi kërkuar nga Avokati i Popullit, pra nga Sindikata e Shëndetësisë, e Arsimit, nga Sindikata e Policisë, e Doganës dhe nga zjarrfikësit që të revokohet vendimi i gjykatës deri në një masë tjetër. Nuk kemi asnjë përgjigje. Pasojat nëse ky ligj kthehet do të jenë të shumëfishta. E para, Kosova do ta humbë një notë pozitive nga Evropa, sepse kjo është pjesë e MSA-së dhe do të thotë se kanë aprovuar ligje dhe s’dihet se çfarë kanë aprovuar. E dyta, pasojat te punëtorët shëndetësorë vetëm kanë filluar. Por jo vetëm te punëtorët shëndetësorë, 60 mijë deri në 70 mijë punëtorë janë atakuar. Andaj do të krijohej një pasiguri totale përveçse nuk do të rriten pagat më, sepse për ligj tjetër do të na duhen mbi 5 vjet, andaj pasojat janë të paparashikueshme. Se çfarë veprimesh do të marrim ne nuk e di. Por është rreziku i madh që të kalojmë edhe në ndonjë tragjedi sociale, që nuk e dëshiroj si kryetar i Federatës.

Shëndetësia e ndikuar politikisht, shpresa për ndryshime me qeverinë e re

Zëri: Përgjithësisht sa i përket sistemit të shëndetësisë, sa mendoni që ai është i ndikuar politikisht, sidomos në zgjedhjen e drejtorëve të klinikave ose të spitaleve dhe sa mund ta dëmtojë një gjë e tillë shëndetësinë?

Syla: Ne kemi tentuar të jemi partnerë me çdo ministër që të paktën të jemi transparentë ose të jenë ata transparentë, mirëpo ka qenë e pamundur. Është e politizuar shëndetësia, këtë nuk duhet ta fshehë askush. Unë nuk e mohoj që një person duhet të vijë nga një parti e caktuar, por prej asaj partie duhet të ketë kuadro të mirë. Sot në Kosovë për fat të keq emërohen të aftë e të paaftë dhe bëhen drejtorë në baza partiake. Kjo ka ndikuar dukshëm në menaxhimin e klinikave tona dhe të spitaleve tona. Andaj ne kemi shumë punë për të bërë.

Zëri: A prisni ndryshime pozitive në shëndetësi nga qeveria e re?

Syla: Unë jam i prirë që të jem optimist dhe të jem bashkëpunëtor, sepse Sindikata e ka një detyrë, që t’i bëjë publike të gjitha ato mangësi, të cilat janë në sistemin e shëndetësisë. Ne po ofrojmë edhe alternativa të bashkëpunimit me aq sa mundemi dhe dimë. Shpresoj që me ministrin e ardhshëm të bashkëpunojmë ngushtë, pasi i kanë edhe program qeverisës veprimet e përbashkëta me Sindikatën. Ajo çfarë nuk e di ende është se sa mjete janë ndarë me buxhet dhe sa është rritur buxheti për shëndetësi, sepse ky është një parametër kryesor se çfarë mendon qeveria e ardhshme për shëndetësinë. Nëse buxheti nuk rritet, atëherë nuk mund të presim ditë të mira në shëndetësi. Nëse buxheti rritet dhe i marrin veprimet që i përmenda, atëherë presim ditë pak më të mira sesa që kanë qenë deri tani.

0
Creative Theme