Lajme dhe Ngjarje

Profesionistët shëndetësorë, të pakënaqur me paga

Posted by:

Të gjithë mjekët specialistë në institucione publike shëndetësore, pavarësisht në çfarë fushe punojnë, paguhen njësoj, përkatësisht me një pagë prej rreth 600 eurosh në muaj. Kjo vlen edhe për infermierët, të cilët paguhen nga rreth 400 euro në muaj.

Profesionistë shëndetësorë e vlerësojnë këtë gjendje si jo të drejtë. Ata kanë kërkuar kategorizim pagash. Këtë e ka thënë për Radion Evropa e Lirë kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Dr. Blerim Syla, duke shtuar tutje se punëtorët shëndetësorë duhet të kenë vlerësim real.

“Ne kemi shprehur brengën tonë për pagat e ulëta të stafit shëndetësor te kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj. Ligji i pagave duhet ta gjejë punëtorin shëndetësor në vendin meritor.

Kjo ka hasur në mirëkuptim te kryeministri që të bëhet kategorizimi i pagave për punëtorët shëndetësorë dhe tani jemi në pritje”, ka thënë Syla.

Ai tutje ka shtuar se rritja e premtuar prej katër për qind në fillim të mandatit të kryeministrit të vendit Ramush Haradinaj, nuk ka paraqitur rritje reale dhe se kjo ka qenë edhe arsyeja e reagimit të sindikatës.

“Qeveria është e vetëdijshme se profesionistët shëndetësorë nuk janë në vendin e merituar”, ka shtuar Syla.

Edhe vetë mjekët flasin për çështjen e pagave. Ata thonë se sistemi shëndetësorë është një nga pesë shtyllat e shtetit dhe duhet që Qeveria të përkujdeset për paga të dinjitetshme për ta.

Basri Lenjani, drejtor i Klinikës emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ka thënë se me rritjen e pagës për punëtorët shëndetësorë, do duhej që të rregullohej edhe çështja e tyre nëse ata do të punojnë në sektorin publik ose atë privat.

“Një prej komponentëve të rëndësishme për ta mbajtur sistemin shëndetësor dhe të gjithë profesionistët shëndetësorë dhe infermierë është sigurimi i pagës së dinjitetshme. Kjo nënkupton që mjekë e infermierë të përqendrohen se a dëshirojnë të punojnë në sektorin publik ose privat. Dhe, kështu krijohet një balancë mes dy sektorëve”.

“Ligji i pagave, profesionistët e kujdesit shëndetësor i ka ulur nga pagesa krahasuar me shërbimet tjera në nivel të institucioneve”, ka thënë Lenjani.

Sipas tij, po qe se vazhdojnë të mos merren parasysh kërkesat e punëtorëve në sektorin shëndetësor, këta të fundit, në vazhdimësi do të kërkojnë të drejtat e tyre elementare, siç i quan ai.

“Qeveria aktuale të besojë se kategoria më e rëndësishme si dhe një nga 5 shtyllat e shtetit e njëra nga to edhe shëndetësia, të jenë me pagë të dinjitetshme. Në qoftë se nuk arrihet të bëhet një harmonizim i pagave duke i ndarë përgjegjësitë, rolet dhe obligimet, ne do të mbesim në vazhdimësi në kërkim të drejtave elementare për ta mbajtur veten dhe familjen”, është shprehur Lenjani.

Ligji për pagat mbetet një nga prioritetet e vazhdueshme ligjore, por që nuk është miratuar nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës. Mungesa e këtij ligji e mban të padefinuar edhe nivelizimin e pagave.

Si në shumë fusha tjera, edhe sektori i shëndetësisë “vuan” nga mosdefinimi i kategorizimit të pagave dhe si rrjedhojë e kësaj gjendjeje, mjekët kanë deklaruar se nuk është korrekte që pagat e mjekëve të jenë lineare.

0
Creative Theme