
Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK) njofton opinionin publik dhe punëtorët shëndetësorë se vendimi i ShSKUK-së për pezullimin e vendimeve të njëanshme lidhur me rrezikshmërinë në punë dhe orarin e punës, si dhe fillimi i procesit të ri të rivlerësimit me ekspertë të licencuar, është rezultat i angazhimit dhe adresimit të vazhdueshëm institucional të Federatës dhe njësive të saj sindikale.
Federata ka ngritur shqetësimet e punëtorëve shëndetësorë në të gjitha nivelet relevante, duke kërkuar që çdo ndryshim i kushteve të punës të mbështetet në një proces profesional, transparent dhe të bazuar në standardet ligjore e profesionale. Ky angazhim ka ndikuar drejtpërdrejt që vendimmarrja institucionale të orientohet drejt respektimit të ligjit dhe të drejtave të punëtorëve.
FSSHK do të vazhdojë të ndjekë me vëmendje të plotë këtë proces, duke kërkuar përfshirjen e njësive sindikale dhe garantimin e një rivlerësimi objektiv, i cili do të reflektojë realisht kushtet dhe rrezikshmërinë e punës në institucionet shëndetësore.
Federata mbetet e përkushtuar të mbrojë interesat e punëtorëve shëndetësorë, duke siguruar që çdo vendim të jetë në përputhje me të drejtën e tyre për kushte pune të sigurta dhe të drejta.
Me respekt,
FSSHK
SEP
2025