
Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK) dënon fuqishëm dhe pa asnjë rezervë incidentin e rëndë të ndodhur në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë, ku një infermiere dhe dy punonjës të sigurimit janë sulmuar fizikisht gjatë ushtrimit të detyrës së tyre.
Ky nuk është një rast i izoluar, por pasojë direkte e dështimit institucional për të garantuar siguri minimale për punëtorët shëndetësorë në vendin e punës. Dhuna ndaj stafit shëndetësor është bërë dukuri shqetësuese dhe tolerimi i saj nga institucionet përgjegjëse është i papranueshëm.
FSSHK kërkon nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit që rasti të trajtohet me prioritet dhe përgjegjësit të ndëshkohen pa vonesa. Njëkohësisht, kërkojmë nga Ministria e Shëndetësisë dhe SHSKUK që të mbajnë përgjegjësi institucionale dhe të ndërmarrin masa urgjente për rritjen e sigurisë në të gjitha institucionet shëndetësore publike.
Punëtorët shëndetësorë nuk janë dhe nuk do të jenë shënjestër e dhunës për shkak të mungesave sistemore dhe keqmenaxhimit institucional.
FSSHK shpreh solidaritet të plotë me infermieren dhe punonjësit e sulmuar dhe paralajmëron se do të ndërmarrë veprime sindikale nëse institucionet përgjegjëse vazhdojnë të mos e trajtojnë seriozisht sigurinë e stafit shëndetësor.
JAN
2026
