Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë në Kosovë, Blerim Syla në një intervistë për Telegrafin ka folur në lidhje me situatën e mjekëve që shërbejnë tash e një vit e gjysmë në front të luftës me pandeminë, për pakënaqësitë e personelit shëndetësor në lidhje me shtesën mbi pagë, për kërkesat e tyre ndaj Qeverisë së Kosovës, ftesën që i kanë bërë krerëve të shtetit për takim dhe vaksinimin e qytetarëve.
Pakënaqësitë e mjekëve, infermierëve dhe stafit mbështetës të cilët tash e një kohë të gjatë po shërbejnë në vijën e parë të frontit në luftë me pandeminë janë rritur sidomos pas vendimit të fundit për shtesat mbi paga, prej së paku 60 eurove, të cilat sipas tyre janë ofenduese.
FSSHK-ja ka kërkuar të takojë edhe krerët e institucioneve që nga 22 prilli i këtij viti, por ata deri sot as nuk kanë pranuar, por as nuk kanë refuzuar t’i takojnë, teksa pas 13 shtatorit personeli shëndetësor do të ketë një lloj proteste.
“Në fakt letrat e djeshit kanë qenë të fundit që i kam dërguar pas mbledhjes së Këshillit drejtues, e që në të vërtetë me apele kam filluar që me datë 22 prill, do të thotë një muaj pas marrjes së Qeverisë, kur i kam parë shenjat e parë që po duan t’i zvogëlojnë shtesat”, tha Syla për Telegrafin.
Personeli shëndetësor do të ketë një formë të reagimit pas datës 13 shtator, por Syla tha se ka pasur kërkesë edhe për bojkotim të punës, por derisa të ketë numra kaq të lartë të të e të mos kujdesen për pacientët, pavarësisht lodhjes fizike e psiqike, e pavarësisht pakënaqësive.
“Mllefi është rritë, ka pasur kërkesa deri të bojkotimi i punës, mirëpo jemi në një situatë shumë urgjente, jemi në pandemi ku populli nuk ka faj por politika. Por, nuk besoj se do të ketë reagim të tillë, deri në momentin kur bien numrat. Në momentin që bien numrat e të infektuarve dhe shohim se situata na lejon, atëherë do të ketë reagim më të madh”, u shpreh Syla.
Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë në Kosovë, Blerim Syla
Sipas tij, megjithatë do të ketë një lloj të protestës pas 13 shtatorit.
“Megjithatë do të ketë një formë të protestës. Mirëpo duke i pasur parasysh këta pacientë që i kemi këtu. Do të mundohemi në një formë që të mos ta dëmtojmë popullatën. Ata nuk po dojnë as me u taku, as me fol, të paktën me na refuzu. E me dal me atë deklaratë skandaloze, po ju rris pagat për 60 euro”, thekson Syla.
Kryetari i FSSHK-së ka thënë se nuk po kërkojnë asgjë më shumë sesa zbatimi i Ligjit antiCOVID, që parasheh shtesën mbi pagë.
“Le ta rikujtojmë një çështje, nuk po kërkojmë asgjë më shumë sesa zbatimi i Ligjit antiCOVID, i cili është miratuar në dhjetor të vitit të kaluar ku Neni 20 e parasheh shtesën mbi pagë, për të gjithë punëtorët shëndetësor dhe stafin mbështetës, mos të harrojmë këtu, rojet, serviret, boca-menëve që sot e bëjnë një luftë të madhe, të gjithë ata meritojnë këtë shtesë”, tha Syla.
Ai tutje shtoi se në vend të një shtese, ata kanë marrë një ofendim.
“Çka ka ndodhur këtu, ka ndodhur një ofendim. Njëherë e kanë zbritur shtesën nga 250 e në 150, nuk kemi folur, pasi kemi menduar se po shkojnë në mënyrë lineare. Nuk janë ngi me kaq, e kanë ndal shtesën krejt për muajt qershor edhe korrik, me justifikim të paarsyeshëm me deklarata skandaloze të ministrit Murati, që tha se ka ra numri”, theksoi Syla.
Edhe më skandaloz sesa vendimin për ndërprerje të shtesave në paga, Syla e sheh vendimin për shifrën prej së paku 60 eurosh, si shtesë.
“Edhe më skandaloz është vendimi, të cilin nuk kishim pas dëshirë me pa nëpër medie, që është 60 euro rritje, kjo nuk përkon me asnjë ligj, e as me asgjë. Nëse i marrim këto argumente, nëse ka shtet të drejt, atëherë këta e kanë thyer Ligjin antiCOVID. E më e keqja është që sponzorizuese e këtij ligji ka qenë presidentja aktuale Vjosa Osmani”, u shpreh kryetari i FSSHK-së.
Ai theksoi se kanë dërguar me dhjetëra apele e letra në Presidencë, Qeveri e Kuvend të Kosovës, por ata nuk kanë marrë ndonjëherë përgjigje, as pozitive e as negative.
“Dje për herë të fundit ju kemi shkruar të diskutojmë dhe ta sjellim në tavolinë edhe Ligjin e Pagave, i cili do ta vej një barazi. Ky Ligj është në sirtarët e Qeverisë, të bihet sivjet, në mënyrë që të nis zbatimi në vitin 2022”, tha Syla.
Ai theksoi se, “Punëtorët shëndetësor i kanë tashmë të qarta kërkesat, kërkojnë 50% të pagës deri në përfundim të pandemisë, ose derisa të bëhet Ligji i Pagave”. /Telegrafi/
SEP
2021