Kërkohet lirimi i masave anti-COVID, Syla kundër largimit të orës policore
Ditëve të fundit është vërejtur rënie e numrit të rasteve pozitive me COVID-19. Kjo ka bërë që të rriten kërkesat për lehtësimi të masave anti-COVID.
Derisa opozita dhe përfaqësuesit e bizneseve kërkojnë largimin e kufizimit të lëvizjes dhe lehtësim të masave të tjera që vazhdojnë të jenë në fuqi, janë mjekët ata që po kundërshtojnë largimin e orës policore.
Kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla ndonëse pajtohet që të ketë lehtësim të masave kërkon që gjithsesi kjo të bëhen me shumë kujdes.
Syla thotë se përqindja e ulët e vaksinimit të qytetarëve kundër COVID-19 dhe ardhja e mërgatës gjatë muajve në vijim duhet të merret parasysh kur të vendoset për rishikim të masave.
“Kërkesat mund të jenë edhe reale se është vit i vështirë që kanë kaluar gastronomet dhe të tjerët, por megjithatë duhet të mendohet edhe për të ardhmen. Për momentin i kemi të vaksinuar vetëm 3 përqind e popullatës duhet me ditë që këta që po kërkojnë kanë me pas edhe një fluks nga jashtë që do vijnë dhe ne nuk e dimë se çka do vijë nga jashtë dhe mund të vijmë në një situatë që shtatori-tetori prapë të na zë me një ripandemi që do ishte shkatërruese. Prandaj, konsideroj që të lejon disa masa por jo në ato ekstreme siç disa po kërkojnë sepse nuk e kemi luksin që përnjëherë të lirohen të gjitha”, tha Syla.
Përfaqësuesi i mjekëve të Kosovës shprehet kundër largimit të orës policore ndonëse pajtohet që orari i kufizimit të lëvizjes që aktualisht është deri në orën 22:30 të zhvendoset deri në orën 00:00.
“Unë nuk jam ithtar që të hiqet ora policore, jam ithtar që të zgjatet nëse është sot 22:30 të paktën në deri në orën 24:00 të përfundojë gjithçka dhe kjo mbase në shtetet evropiane edhe pa pandemi mund të ndodh, prandaj, nuk jam ithtar që ora policore të hiqet definitivisht por të hiqet kemi me pas një situatë të këndshme”, theksoi Syla.
Anëtari i Komisionit Parlamentar për Shëndetësi nga LDK, Armend Zemaj masat aktuale anti-COVID i konsideron si jo efektive, prandaj kërkon rishikim të tyre.
Ish-ministri i Shëndetësisë thotë se masat që pasardhësi i tij i ka ndërmarrë për parandalim të përhapjes së COVID-19, kanë ndikuar në rritjen e kriminalitetit dhe abuzimeve në shoqërinë tonë.
“Masat e ndërmarra në afekt dhe masat me ngjyrime politike kanë pasoja. Është më se e gëzueshme kur kemi numër të ulët të infeksionit dhe të lakores për një periudhë të caktuar por masat duhet të jenë gjithmonë të barasvlershme edhe me gjendjen epidemiologjike dhe me faktorët tjerë ekonomik apo të jetës shoqërore duke përfshirë edhe arsimin, lëvizjen e lirë dhe shumë elemente të tjera… Kjo masë tani nuk është e domosdoshme ka qenë efektive dhe jo produktive dhe që lëndon vetëm shëndetin mendor dhe asgjë tjetër. Andaj, këto masa duhet të rishikohen duhet të jenë konform gjendjes epidemiologjike dhe faktorëve të tjerë të cilët duhet të ngërthehen ndër vete që të kemi edhe një situatë të menaxhueshme në kuptimplotë të jetë shoqërore dhe pa pasoja sepse mund ta ulim lakoren por mund të ngrisim shumë pasoja tjera në jetën tonë…Është rritur numri i krimeve, numri i abuzimeve, numri i keqpërdorimeve dhe gjitha këto janë faktor i një mos strategjie ose ndërmarrjes së masave në afekt që lëndojnë shoqërinë në përgjithësi”, tha Zemaj.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi thotë se situata epidemiologjike në vend ka krijuar hapësirë për lehtësimin e disa masave.
Rukiqi kërkon që sa më parë të merret një vendim për zgjatje të orarit të punës dhe largim të kufizimit të lëvizjes.
“Nuk po them se duhet me na dhënë komoditetin të mendojmë që pandemia ka përfunduar por na jep komoditetin të krijojmë disa masa lehtësuese, me zgjat orarin e punës tek të gjithë sektorët me largua kufizimin e lëvizjes që lidhet me orën policore në gjithë territorin e vendit dhe të njëjtën kohë me shikua mundësinë që disa prej bizneseve që nuk kanë punuar fare apo kanë qenë t kufizuar në gjithë pjesën e pandemisë të fillohen dhe të hapen me kushte të respektimit të distancës sociale, të kushteve të tjera që kërkohen me manualet e OBSH-së dhe IKSHP”, tha Rukiqi.
Në një përgjigje me shkrim, Sami Uka, këshilltar i Ministrit të Shëndetësisë, thotë se masat janë në rishqyrtim të vazhdueshëm dhe për çfarëdo ndryshimi do ketë njoftim.
“Masat janë në rishqyrtim të vazhdueshëm nga IKShPK dhe për çfarëdo ndryshimi do të njoftoheni me kohë”, thuhej në përgjigjen e tij.
Edhe Shoqata e Gastronomëve të Kosovës gjatë ditës së djeshme përmes një proteste kërkoi lehtësim të masave anit-COVID.
Ndërkaq, sot pritet që ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia t’i diskutojë masat e reja anti-Covid, me kryetarët e komunave të vendit, aty pritet të diskutohet edhe plani i vaksinimit dhe gjendja e përgjithshme pandemike në Kosovë.
MAY
2021