Lajme dhe Ngjarje

REAGIM: ndaj ndërhyrjes së Qeverisë në Organizimin dhe Administrimin Sindikal

Posted by:

Koalicioni për Drejtësi Shoqërore dhe të Drejta Socio-ekonomike me anë të këtij reagimi shpreh shqetësim me njoftimin e Thesarit të Kosovës/Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, dërguar organizatave sindikale lidhur me regjistrimin e anëtarëve të sindikatave në portalin E-Kosova.

Në njoftim thuhet se anëtarët e sindikatave duhet të regjistrohen në platformën E-Kosova si dhe të konfirmohen të dhënat e bankës nga data 15 shtator deri më datën 21 shtator. Pas kalimit të kësaj periudhe kohore, sindikatave u është ndërprerë kuota e anëtarësisë në mënyrë të njëanshme, e cila nënkupton ç’anëtarësim pa vullnetin e anëtarëve.

Koalicioni konsideron se ky njoftim është në kundërshtim me Kushtetutën, Ligjin për Organizim Sindikal dhe Standardet ndërkombëtare, të cilat e rregullojnë lirinë e asociimit dhe organizimit sindikal.

Koalicioni pretendon se njoftimi qeveritar ka shkelur këto dispozita kushtetuese, ligjore dhe të standardeve ndërkombëtare.

Kushtetuta: Liria për të themeluar sindikata dhe për t’u organizuar, me qëllim që të mbrohen interesat, është e garantuar. Kufizimi i kësaj të drejte mund të bëhet me ligj për kategori të veçanta të punonjësve.

Ligji: Sipas ligjit për Organizim Sindikal, Statuti i sindikatës është akti më i lartë juridik i sindikatës, me të cilin rregullohet dhe përcaktohet fushëveprimi, parimet themelore të punës, organizimi sindikal, të drejtat dhe detyrat e anëtarëve, si dhe përbërja dhe funksionimi i organeve drejtuese sindikale.

Autoritetet qeveritare, nuk mund të ndërhyjnë në kufizimin e të drejtave dhe lirive sindikale ndaj të punësuarve apo të pengojnë ushtrimin e lirshëm të aktiviteteve në sindikata.

Anëtarësimi në sindikatë bëhet sipas vullnetit të lirë të të punësuarit.

Gjatë aplikimit për anëtarësim duhet të jepet deklarata me shkrim, si dhe të plotësohet formulari i cili duhet të këtë emrin dhe mbiemrin, gjininë, ditëlindjen, vendbanimin, adresën, profesionin, vendin e punës dhe nënshkrimin e anëtarit.

Ndalohet çdo akt ndërhyrjeje në krijimin e programeve sindikale, në zgjedhjen e përfaqësuesve sindikal, dhe në administrimin e organizatave sindikale nga autoritet qeveritare. Veprimet ndërhyrëse konsiderohen akte që pengojnë krijimin, funksionimin ose administrimin e një organizate sindikale.

Standardet Ndërkomëtare (Konventa e ILO-s):

Punëtorët dhe punëdhënësit, pa asnjë dallim, do të kenë të drejtën të krijojnë dhe, duke i’u nënshtruar vetëm rregullave të organizatës përkatëse, të bashkohen me organizata që zgjedhin vetë pa autorizim paraprak.

Autoritetet publike do të përmbahen nga çdo ndërhyrje që do të kufizonte këtë të drejtë ose do të pengonte ushtrimin e ligjshëm të saj.

Koalicioni konsideron se veprimi i qeverisë është i njëanshëm, pa u konsultuar fare me organizatat sindikale, në kundërshtim me Kushtetutën, ligjin për Organizim Sindikal dhe standardet ndërkombëtare.

Andaj Koalicioni kërkon nga qeveria që menjëherë të tërhiqet nga veprime të tilla të njëanshme dhe kundërligjore, dhe menjëherë të ju kompensohen kuotat e anëtarësisë së papaguara në këtë periudhë. Koalicioni për Drejtësi Shoqërore dhe të Drejta Socio-ekonomike përbëhët nga:

Rrjeti i Edukatorëve Bashëkamoshatarë – PEN

Qendra për Politika dhe Avokim – QPA

Iniciativa Kosovare për Stabilitet – IKS

Demokraci për Zhvillim – D4D

Organizata për Demokraci, Antikorrupsion dhe Dinjitet – ÇOHU!

Federata e Sindikatave të Shendetësisë së Kosovës – FSSHK

Sindikata e Policisë së Kosovës – SPK

REAGIM ndaj ndërhyrjes së Qeverisë në Oranizimin dhe Administrimin Sindikal (3)

0
Creative Theme