Lajme dhe Ngjarje

Vaksinimi i mjekëve nga Kosova në Kukës, ka kërkesa të mëdha

Posted by:

Kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK), Blerim Syla, e ka mirëpritur vendimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama për vaksinimin e 11 mijë punonjësve shëndetësorë nga Kosova, kundër Covidit-19.

Syla në la në një prononcim për IndeksOnlinen ka thënë se “ky me të vërtetë është një akt vëllazëror”.

Kreu i Sindikatës tha se me kontingjentin prej 11 mijë vaksinave do të arrijnë të vaksinohen të gjithë punëtorët shëndetësorë kosovarë.

“Ky është një akt me të vërtetë vëllazërorë. Ne na mbetet tashti që Ministria e Shëndetësisë e Kosovës me atë të Shqipërisë të koordinojnë veprimet e tyre. Sot gjatë ditës do të komunikojmë me ministrin Vitia dhe ai besoj se do të shprehë gatishmërinë e tij.

“Me rëndësi është që të niset pasi sa më shumë që vaksinohen personeli shëndetësor aq më shumë kanë mundësi që të vaksinohet popullata.

Me kontingjentin prej 11 mijë vaksinave mund të themi se e mbulon sektorin e personelit shëndetësor në Kosovë. Po ashtu Kosova kursen sa u përket vaksinave për popullatën”, tha ai.

Syla shtoi se ka interesim të madh të mjekëve që të vaksinohen në Shqipëri kundër Covidit- 19.

Sipas tij, gjendja shëndetësore e mjekëve dhe infermierëve që u vaksinuan ditë më parë në Kukës është mjaft e mirë.

“Ka një interesim mjaft të madh të mjekëve që të vaksinohet. Fillimisht ka pasur një lloj skepticizmi për t’u vaksinuar, por prej atij spekticizmi tanimë ka kërkesa shumë të mëdha sa që ne nuk arrijmë t’u sigurojmë të gjithëve pasi kemi njëherë vetëm 500 doza të para. Ne nuk kemi mundësi aq sa ka kërkesa, por me këto 11 mijë doza që i ka ofruar Shqipëria do mundësohet.

Nesër do të përfundojë procesi i fazës së parë të vaksinimit prej 500 dozash, po them që nuk kemi mujt t’i përballojmë kërkesat për vaksinim.

Si në çdo shtet që është njëfarë skepticizmi, mirëpo i kanë parë që kanë kaluar shumë mirë dhe vetvetiu njerëzit janë bindur që vaksina është e vetmja armë kundër virusit.

Gjendja shëndetësore e të vaksinuarve është shumë e mirë nuk kemi asnjë ankesë, në orët e para normalisht pak, por deri tashi nuk ka asnjë ankesë të nivelit të përkeqësimit”, tha ai për IndeksOnline.

Syla shpreson që procedurat e Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës dhe Ministrisë së Shëndetësisë së Shqipërisë të përfundojnë shpejt dhe javën e ardhshme të fillojë cikli i dytë i vaksinimit i personelit shëndetësor në Kukës.

Ndryshe, lajmin dje e bëri të ditur kryeministri Rama pas arritjes në Shqipëri së 192 mijë vaksinave “Sinovac” nga Kina./IndeksOnline/

 

0
Creative Theme