Lajme dhe Ngjarje

Sindikalistët i bëjnë thirrje Qeverisë: Të bisedojmë, mos na ndani nga pacientë

Posted by:

Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla, ka thënë se grevës së sotme në Shëndetësi i janë përgjigjur të gjithë dhe se kjo tregon unitetin e jashtëzakonshëm.

Syla ka treguar se rastet emergjente nëpër spitale janë punuar, ndërsa fillimisht i ka kërkuar falje pacientëve.

Syla ka thënë se nuk është mirë që edhe sot, kur po mbahen greva, në Kuvend po diskutohet për Projektbuxheti për vitin 2022, e ku në të nuk është e parashikuar ndarja për Ligjin e Pagave.

“FSSHK ka marrë përkrahje të madhe edhe nga ndërkombëtarët. Kemi Federatën Sindikale Shëndetësore të Finlandës me mbi 22 mijë anëtarë, kanë shprehur solidaritetin e përkrahjen. Me e rëndësishme por edhe e dhimbshme, sot ka mbajtur mbledhje Komiteti Ekzekutiv i Sindikatave Publike Evropiane, ku ka çuar notë proteste për Qeverinë e Kosovës. Nota është paraqitur në Komisionin Evropian për Mirëqenie Sociale. Për ne sindikatat është mirë, por nuk është e e mirë për shtetin. Le të jetë ky mesazhi i fundit për Qeverinë Kurti e gjithë akterët tjerë. Të bisedojmë, mos na ndani nga pacientët, nxënësit e populli. Mos na shtini të bëjmë gjeste të tilla që nuk dëshirojmë. Por nëse keni vendosur për trazira sociale është çështja e juaja. Do ta ruajmë shtetin e Kosovës të ndërtuar me mund e gjak. Nuk ka asnjë politikë këtu, në këtë vend. Siç e shihni nëse kemi politikë brenda, nuk mund të kemi në Evropë”, tha Syla para mediave nga sheshi “Skënderbe”. “Z. Kryeministër të lutem e përgjohem mos na shtini me i desh mantelet në vazhdimësi. Lërani të punojmë, t’i shërbejmë pacientëve, kthenani dinjitetin”.

E kryetar i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës e Kulturës, Rrahman Jasharaj, po ashtu ka qenë prezent duke shprehur përkrahjen. Ai ka thënë se uron që të jetë greva e fundit.

“Hapini dyert e dialogut, të lëmë deklaratat ndaj sindikatave, ato i ka zgjedhur anëtarësia e dinë kush jemi. Të ulemi e të bisedojmë që të mos ketë përplasje tjera. Urojmë nga sot apo nesër të ulemi me Qeverinë. Të mos injoroj, pasi në të kundërtën do të kemi edhe protesta e greva të cilat dihet kur fillojnë por jo kur ndalen”, tha Jasharaj.

Edhe BSPK-ja ka përkrahur këtë grevë.

Ndërkohë Syla për grevën e punonjësve të shëndetësisë ka thënë se vazhdon deri sot në ora 15:00, e më pas Qeveria do të ketë kohë deri të enjten e ardhshme për të reflektuar.

Ai ka thënë se aktiviteti i sotëm ka qenë vetëm tetë orë për hir të pacientëve.

0
Creative Theme