Lajme dhe Ngjarje

Intervista e Kryetarit të FSSHK-së Dr.Blerim Syla

Posted by:

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës ka bërë të ditur se nga ora 07:00 janë në grevë 24 orëshe në të gjitha institucionet shëndetësore të vendit dhe kjo për shkak të mosplotësimit të kërkesës së tyre për rritjen e pagave.

Kështu tha në një prononcim për Telegrafin, kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla.

Sipas tij, kërkesa e mantel-bardhëve është shumë e thjesht që të miratohet Ligji i pagave.

“Sot në orën 7:00 të mëngjesit në nivel vendi kemi hyrë në grevë, mjekësia primare, sekondare dhe terciare. Vetëm urgjencat për momentin janë duke punuar. Kërkesa është e thjeshtë siç edhe është duke diskutuar, që para aprovimit të buxhetit të shkoj Ligji i pagave, i cili parasheh kategorizimin e punëtorëve shëndetësor. Ligji i pagave duhet të merr parasysh vërejtjet e Federatës dhe Komisionit parlamentar për shëndetësi. Nëse kjo nuk ndodh atëherë nuk kam asnjë rrugëdalje tjetër përveç masave tjera dhe më radikale se këto që po i përdorim sot”, ka thënë ai.

Syla theksoi se ndihen të injoruar nga pushteti vendor.

Ai tha se nëse nuk marrin ndonjë ftesë nga këta të fundit, atëherë në mbrëmje do të mblidhet Kryesia e Sindikatës për të marr masa tjera.

“Ne për momentin jemi duke pritur përfundimin e orarit të punës, nëse kemi ndonjë ftesë apo jo, sepse jemi të injoruar. Para një jave e kemi mbajtur një grevë të QKUK-së, nuk na ka ftuar askush dhe nëse jo, dikur nga mbrëmja do të mblidhet kryesia do ta shqyrtoj dhe njëherë vendimin 24 orësh për sot, a do të merren masa të tjera.

Masat tjera mund të jenë dhe grevë pa kufi. Nëse nuk reflektojnë atëherë përgjegjësinë e mban pushteti, e jo ne. E kemi respektuar çdo normë ligjore-juridike, por çka është mjaft – është mjaft”, tha ndër të tjera, kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla.

Ndryshe, kërkesat e grevistëve janë kalimi i Ligjit mbi pagat, duke u bazuar në amendamentet e FSSHK-së apo Komisionit Parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, si dhe të fillojë menjëherë implementimi i ligjit.

0
Creative Theme